Secondary Adv

Starmer përballet me krizën më të madhe politike, 77 deputetë kërkojnë largimin e tij

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion të fortë politik brenda Partisë Laburiste, ndërsa 77 deputetë kanë kërkuar dorëheqjen e tij pas krizës së thelluar në qeveri dhe rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.

Mbledhje urgjente e qeverisë britanike

Qeveria britanike mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse kabineti i Starmer do të arrijë të ruajë stabilitetin politik. Kriza është përshkallëzuar pas rebelimit të disa zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe largimit të gjashtë ndihmësministrave, të cilët ose kanë dhënë dorëheqjen, ose kanë kërkuar publikisht që Starmer të përcaktojë një afat për largimin nga posti.

 

Një nga zërat më kritikë brenda kabinetit është ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, e cila i ka kërkuar kryeministrit të japë një afat të qartë për dorëheqjen.

 

77 deputetë kundër Starmer

Presioni ndaj liderit laburist është rritur ndjeshëm pasi 77 deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar zyrtarisht largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.

 

Pavarësisht situatës së tensionuar, Starmer ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në deklaratat e fundit ai ka pranuar se qeveria ka bërë gabime, por ka mbrojtur vendimet kryesore politike të ndërmarra gjatë mandatit të tij. “Vendimet e mëdha politike kanë qenë të drejta”, është shprehur Starmer, duke sinjalizuar se nuk ka ndërmend të largohet për momentin.

 

Humbjet në zgjedhjet lokale thelluan krizën

Pakënaqësitë ndaj kryeministrit janë shtuar pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve lokale në Angli, ku Partia Laburiste humbi rreth 1.500 këshilltarë vendorë. Në të njëjtën kohë, partia Reform UK ka shënuar rritje të mbështetjes elektorale, ndërsa Partia e Gjelbër ka fituar terren në Londër dhe në disa zona të tjera urbane.

 

Analistët politikë në Britani vlerësojnë se Starmer po përballet me krizën më serioze të lidershipit që nga marrja e detyrës si kryeministër, ndërsa presioni brenda partisë po rritet për një ndryshim në drejtimin e qeverisë.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat